Rizvanolli kërkon nga ZRRE që të mos rritet çmimi i rrymës për konsumatorët e vegjël
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos e rrisë çmimin e energjisë elektrike për ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj.
Në një deklaratë publikuar në Facebook, ajo theksoi se për konsumatorët që shpenzojnë më shumë, Ministria ka propozuar ndarjen në kategori më të detajuara, në mënyrë që të mos trajtohen njësoj ata që shpenzojnë 1,000 kWh me ata që arrijnë 3,000 kWh.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë sa më shumë familjet, veçanërisht ato që kanë më shumë nevojë, pa rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji,” u shpreh Rizvanolli.
Aktualisht, ata që shpenzojnë deri në 800 kWh paguajnë 7.79 cent për kilovat gjatë ditës dhe 3.34 cent gjatë natës. Përtej këtij pragu, çmimi shkon në 14.45 cent ditën dhe 6.81 cent natën.
ZRRE ka paralajmëruar se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret më 11 prill. Kjo ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe protesta nga qytetarët më 5 prill në Prishtinë, si dhe kundërshtim nga Presidenca.
Tri kompanitë energjetike në vend – KOSTT, KEDS dhe KESCO – kanë kërkuar rritjen e tarifave, duke e arsyetuar me rritjen e importeve dhe kostove të energjisë.
ZRRE e ka justifikuar propozimin për rritje me uljen e prodhimit vendor, rritjen e konsumit dhe varësinë nga importi.
Në një klimë të vazhdueshme të shtrenjtimit të jetesës që ka nisur që nga pandemia dhe është përshkallëzuar pas luftës në Ukrainë, çdo rritje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.