LDK i qëndron refuzimit ndaj VV-së: Haziri konfirmon qëndrimin pa lëkundje
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka theksuar se partia e tij vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht ftesës së fundit për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, Haziri theksoi se refuzimi është bërë i ditur që më parë dhe nuk ka ndryshuar asgjë që nga ajo kohë.
“Ne kemi thënë jo. E kemi thënë para dy javësh dhe vazhdojmë të qëndrojmë në atë vendim,” deklaroi ai.
Ai gjithashtu kritikoi VV-në për retorikën politike dhe sjelljen përçarëse që, sipas tij, ka ndikuar negativisht në shoqërinë kosovare.
“Vetëvendosje është sjellë, si në gjuhë ashtu edhe në veprime, si një fituese absolute që nuk ka nevojë për askënd. Kjo ka shkaktuar ndarje dhe polarizim të popullatës,” tha Haziri.