KINA NË LUFTËN NË UKRAINË? KAPEN USHTARË KINEZË NË DONETSK, REAGON ZELENSKY
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se dy ushtarë kinezë janë kapur nga forcat ukrainase gjatë luftimeve në rajonin e Donetskut.
Sipas Zelenskyt, trupat ukrainase u përballën me gjashtë ushtarë të dyshuar kinezë dhe arritën të marrin dy prej tyre rob. Ai tha se ka urdhëruar autoritetet ukrainase të kërkojnë një sqarim zyrtar nga Pekini lidhur me përfshirjen e shtetasve kinezë në territorin ukrainas.
“Ne kemi informacione që tregojnë për një prani më të gjerë të qytetarëve kinezë në njësitë e pushtuesit. Tani po i hetojmë të gjitha faktet,” theksoi presidenti.
Kina, e njohur si një nga aleatet e afërta të Rusisë, është akuzuar shpesh për mbështetje të luftës, ndonëse Pekini ka mohuar vazhdimisht përfshirjen ushtarake apo furnizimin me armë.
Zelensky u shpreh se kjo përfshirje, qoftë edhe indirekte, është një sinjal i qartë që Putini po e zgjeron konfliktin në vend që ta ndalë. Ai shtoi se pret një reagim të qartë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë.