Ziv: Kosovarët që duan të largohen mund të kalojnë nga Egjipti e Jordania

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka folur për situatën e tensionuar që po mbretëron aktualisht në Izrael, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.

Ajo tha se pavarësisht ankthit të krijuar nga rrethanat, mbetet me shpresë që operacioni ushtarak izraelit do të jetë i suksesshëm.


“Situata këtu është shumë e tensionuar, ka shumë ankth, por ne mbetemi me shpresë që qëllimi për të cilin e kemi filluar këtë operacion ndaj Iranit do të jetë i suksesshëm dhe do të na ndihmojë të eliminojmë kërcënimin ekzistencial që Irani ka vënë kundër nesh për dekada të tëra”, deklaroi Ziv në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Sipas saj, Irani ka zhvilluar kapacitete të fuqishme bërthamore dhe posedon potencial për të ndërtuar deri në nëntë armë bërthamore, ndërsa një e treta e këtij kapaciteti është arritur vetëm gjatë tre muajve të fundit.

Ajo theksoi se Teherani ka shfrytëzuar periudhat e negociatave për të përshpejtuar zhvillimin e programit të tij bërthamor.

Ambasadorja Ziv konfirmoi gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadoren e Kosovës në Izrael, si dhe me qytetarë kosovarë që jetojnë atje.

Ndërkaq shtoi se për ata që dëshirojnë të largohen nga Izraeli, ekziston mundësia e kalimit përmes Egjiptit ose Jordanisë.

“Me disa qytetarë kam komunikuar edhe vetë dhe më duhet të them që ata që kam kontaktuar janë në disponim të mirë. Ata ndjekin udhëzimet e autoriteteve izraelite për sigurinë. Për ata që dëshirojnë të largohen, Ambasada e Kosovës në Tel Aviv është në dispozicion për t’u ofruar informacione dhe opsione”, theksoi Ziv.

Më tej tha se Izraeli e sheh si të domosdoshëm fillimin e këtij operacioni, për shkak të rrezikut që përbën kapaciteti ushtarak i Iranit.

“Irani ka një industri të avancuar të raketave, të cilat mund të bartin armë bërthamore. Këto raketa nuk kanë vetëm rreze veprimi 1,500 kilometra, sa është distanca me Izraelin, por mund të arrijnë deri në 4,000 kilometra, duke rrezikuar edhe territorin e Evropës. Të gjithë duhet të pyesin: pse regjimi iranian ka krijuar këtë lloj kapaciteti?”, shtoi ajo.

Ndërkohë, gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, bëri të ditur se pesë qytetarë shqiptarë që ndodheshin në Izrael janë larguar në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri. Largimi i tyre u mundësua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, në bashkëpunim me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro.

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka filluar të premten, kur Izraeli nisi sulme ajrore të koordinuara ndaj caqeve ushtarake dhe bërthamore në Iran.

Si kundërpërgjigje, Teherani ndërmori sulme hakmarrëse me raketa.

Autoritetet izraelite njoftuan se si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë të paktën 24 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Nga ana tjetër, Irani ka raportuar se në sulmet izraelite kanë humbur jetën të paktën 224 persona, ndërsa mbi 1,000 të tjerë janë plagosur.