BAJQINOVCI GODET LDK-NË: KURRË NUK KËRKUAT FALJE PËR GJUHËN FYESE NDËR VITE
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ndaj vendimit të Lumir Abdixhikut për të bojkotuar takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Abdixhiku e justifikoi mospjesëmarrjen duke përmendur gjuhën e ashpër të Kurtit, veçanërisht përdorimin e termit “hajvanat” për opozitën, pas votimeve të 9 shkurtit.
Por Bajqinovci ka kthyer vëmendjen nga LVV drejt vetë LDK-së, duke thënë se kjo parti, ndër vite, ka përdorur gjuhë shumë më fyese dhe kurrë nuk ka kërkuar falje. Ai përmendi rastin e deputetit Kujtim Shala, krahasimet e bëra nga Lutfi Haziri që qeverisjen Kurti e quante “regjim të Rankoviqit”, si dhe deklaratat e Muhaxherit që e përngjasonin me regjimin e Millosheviqit.
Sipas Bajqinovcit, LDK nuk ka pasur asnjëherë guximin të distancohet nga kjo gjuhë. Ai e akuzoi këtë subjekt për hipokrizi dhe për veprimtari të udhëhequra nga interesi, duke përmendur edhe bashkëpunimet me PDK-në, një parti të cilën më parë LDK e kishte akuzuar për afera serioze.
“LDK NUK UDHËHIQET NGA DINJITETI, POR NGA INTERESI,” SHKROI BAJQINOVCI, DUKE E MBYLLUR REAGIMIN ME NJË THIRRJE.