Agim Veliu godet drejt: “Lumiri, zgjatje e dorës së Kurtit dhe Vjosës brenda LDK-së”
Ish-kryetari i Podujevës dhe një nga figurat e njohura të LDK-së, Agim Veliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas ftesës së bërë nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për konsultime para konstituimit të Kuvendit.
Sipas Veliut, ftesa nuk ishte e papritur, pasi Kurti ka raporte më të afërta me Abdixhikun sesa me ndonjë lider tjetër të partive politike.
“Për ata që e njohin skenën politike të pesë viteve të fundit, kjo ftesë ishte e pritshme. Kurti nuk ka afërsinë që ka me Lumirin me asnjë nga liderët e tjerë, edhe pse ky i fundit përpiqet të sillet si opozitar i ashpër,” u shpreh ai për Periskopi, duke shtuar se ftesa zyrtare ishte një përpjekje për t’i dhënë “seriozitet” skenarit të ndërtuar.
Duke folur për mundësinë e një koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, Veliu ishte kritik dhe i prerë.
“Lumiri është një dorë e zgjatur e Kurtit dhe Vjosa Osmanit në LDK. Çdo takim apo marrëveshje e mundshme me VV-në do të jetë rezultat i pazareve të Vjosës me Kurtin,” deklaroi ai për IndeksOnline.
Ndërsa për ndikimin e kësaj ftese në strukturat e brendshme të LDK-së, Veliu tha se nuk ka asnjë efekt, duke akuzuar Abdixhikun për manipulime të brendshme në parti.
“Ftesa e Kurtit nuk ndikon fare në klimën e LDK-së. Të gjitha strategjitë zgjedhore, përfshirë manipulimet me votat e diasporës, ishin pjesë e planit të Lumirit dhe rrethit të tij për të eliminuar figura kyçe të partisë,” përfundoi Veliu.