Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta në Kosovë, por çmimi i metrit katror deri 2 mijë e 500 euro
Kosova është duke përjetuar një zhvillim të shpejtë në sektorin e ndërtimit, por një fenomen paradoksal ka dalë në pah: shumë prej banesave të reja mbeten të pabanuara. Investimet e diasporës kanë nxitur tregun, por nuk po ofrojnë përfitime të dukshme për ekonominë vendase.
Nga 2011 deri më 2024, numri i banesave në Kosovë është rritur me 43%, dhe aktualisht, vendi ka 590 mijë banesa për rreth 1.6 milion banorë. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm banesash janë të zbrazëta – mbi 182 mijë, duke përfshirë ato ende në ndërtim. Shumica e këtyre banesave janë të blera nga diaspora, por ato mbeten të pashfrytëzuara, duke krijuar një “pasuri të vdekur” që nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik.
Në Prishtinë, çmimi i metrit katror të banesave varion nga 1.000 deri në 2.500 euro, ndërsa në komunat më të vogla, ai është më i ulët. Kjo ka sjellë një rënie të kërkesës për blerje dhe ka ulur numrin e shitjeve, duke e bërë tregun të pasigurt për ndërtuesit.
Kosova mbetet e varur nga importi i mallrave dhe remitencat, të cilat arrijnë në mbi 1 miliard euro në vit. Ndërkohë, çmimet e banesave janë rritur në vitin 2021 si pasojë e çrregullimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, duke shtrenjtuar çmimet e materialeve ndërtimore mbi 20%.
Në Prishtinë, çmimi për metër katror banese varion nga 1,000 deri në 2,500 euro, ndërsa në komunat më të vogla ai arrin deri në 800 euro. Pavarësisht kësaj, shitjet e banesave janë në rënie. Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2023 janë shitur vetëm 1,628 banesa në të gjithë Kosovën, një rënie e ndjeshme krahasuar me 4,967 që u shitën gjatë vitit 2022 dhe 6,561 në vitin 2021.
Komuna e Gjilanit është goditur më së shumti nga kjo rënie, duke regjistruar vetëm 6 shitje banesash në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, edhe pse ka mbi 90 mijë banorë.