Real Madrid përjeton krizë para ndeshjes me Arsenal, detaje shqetësuese dalin në pah
Dhoma e zhveshjes së Real Madridit është përfshirë nga një krizë emocionale vetëm një ditë para përballjes së rëndësishme kundër Arsenalit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti do të udhëtojë drejt Londrës për të zhvilluar sfidën e parë në ‘Emirates Stadium’, me objektivin për të mbrojtur titullin evropian të fituar vitin e kaluar ndaj Dortmundit.
Megjithatë, atmosfera në ekip është tensionuar pas humbjes 2-1 ndaj Valencias të shtunën në ‘Santiago Bernabeu’, një rezultat që ka lënë gjurmë në grup. Sipas Marca, futbollistët e Real Madridit mbetën të tronditur pas disfatës, duke reflektuar një krizë psikologjike në prag të një prej ndeshjeve më vendimtare të sezonit.
Valencia kaloi në epërsi falë golit të Mouctar Diakhaby, ndërsa Vinicius, pasi humbi një penallti, barazoi rezultatin në minutën e 50-të. Humbja e madrilenëve i privoi nga mundësia për të barazuar përkohësisht me Barcelonën në krye të La Ligës.
Edhe pse Barcelona më vonë barazoi 1-1 me Real Betisin, diferenca në pikë me Realin është rritur në katër.
Në përpjekje për të rikthyer moralin e skuadrës, trajneri Carlo Ancelotti mbajti një fjalim motivues në dhomën e zhveshjes, duke u kujtuar lojtarëve se “asgjë nuk është humbur dhe gjithçka është ende e arritshme, nëse tregojnë dëshirë dhe përkushtim në ndeshjet që vijnë.”
Tani, ‘Los Blancos’ do të synojnë të marrin një rezultat pozitiv kundër Arsenalit dhe të hedhin hapin e parë drejt një tjetër finale evropiane.